3 orë në SPAK, Belinda Balluku: U pyeta për inceneratorin e Tiranës, kjo dosje ka bërë pis të madh e të vogël!

Pas më shumë se 3 orësh në SPAK, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Para gazetarëve ajo deklaroi se u thirr nga SPAK si person që ka dijeni në lidhje me rrethanat e hetimit për inceneratorin e Tiranës.

Balluku tha se kjo dosje ka bërë pis të madh dhe të vogël dhe ka ardhur koha që të zbardhet në mënyrë që të ndahet e mira nga e keqja dhe, puna e ndershme nga abuzimi i pafalshëm, siç e cilësoi ajo.

Balluku: Ishte një thirrje për dosjen 225 që është dosja e inceneratorëve. Duhet të jepja disa sqarime që besoj të kenë shërbyer në zbardhjen e kësaj dosje. Kam dhënë dëshmi që besoj të kenë shërbyer në zbardhjen e kësaj dosje. Kjo është ndarja e re e pushteteve, drejtësia ka punën e saj, qeveria ka punën e saj dhe parlamenti punën e tij. Ne jemi këtu për ta mbështetur drejtësinë. Kjo dosje ka bërë pis të madhe të vogël dhe i ka ardhur koha të zbardhet të ndahet puna e ndershme nga abuzimi pafalshëm.

Marrja e saj në pyetje vjen disa javë pas pyetjes së Veliajt teksa prokuroria po finalizon hetimet për inceneratorin e Tiranës.

Fletëthirrja për Ballukun u bë nga prokurori Dritan Prençi i cili po heton edhe inceneratorin e Tiranës, hetimet për të cilin janë drejt fundit.

Vënia nën sekuestro është akti i parë i ndërmarrë nga drejtësia për rastin e Tiranës, ndërsa për Elbasanin dhe Fierin, hetimet janë mbyllur ndërsa ish-zyrtarë të lartë përfshirë Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon janë shpallur fajtor dhe janë dënuar.

Brenda majit kopsitet dosja e inceneratorit te Tiranes

Prokurori Dritan Prençi pritet brenda muajit maj të vendosë lidhur me dosjen e inceneratorit të Tiranës nëse do e dërgojë për gjykim.

Prej 1 gushtit 2023, impianti i trajtimit të mbetjeve në Tiranë është në sekuestro me kërkesë të SPAK dhe firmosur nga GJKKO.

Sipas SPAK rezultoi se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri ishin pronarët e vërtetë të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila më 31 gusht 2017 fitoi kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë me kosto të investimi të parashikuar në kontratën koncesionare në vlerën 128,248,330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH. Dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” edhe dy inceneratorëve të tjerët në Ebasan dhe Fier.

Në muajin dhjetor 2023, Gjykata e Posaçme firmosi, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, 15 urdhra arresti, si pjesë e hetimeve për inceneratorin e Tiranës, nga të cilët 6 me arrest shtëpie.

Mes të arrestuarve është Taulant Tushe, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës. Urdhër arresti ka patur dhe për një tjetër ish drejtor të Bashkisë, Namik Thimixhi, i cili mbulonte Menaxhimin e mbetjeve dhe ishte në varësi direkte të Tushes. Urdhërat e arrestit prekën sërish dhe ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, si dhe ish deputetin socialist Alqi Bllako, si dhe dy sipërmarrësit në kërkim Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.

Ndërsa në ‘arrest shtëpie’ janë 7 të tjerë, konkretisht Etleva Kondi, Valbona Ballgjini, Alba Thoma, Sidita Kopliku, Silena Toma, Pëllumb Abeshi dhe Jetmir Llapaj